Rilindja si fenomen shqiptar i nevojshëm dhe pluralizmi i mendimeve

2009 Gusht 7
nga mentortahiri

Kombi shqiptar në tërësi në atdheun e tij të fragmentuar, mes amullive dhe mjegullave të rrethanave politike, ka ditur dhe ia ka dal të rilind e të rishfaqet edhe në kohërat më të vështira kur për shumë kë drita e shpresës ka qenë shumë e largët për të rrugëtuar deri te ajo. Rrethanat ndryshojnë por nevoja permanente e kohëpaskohshme për fenomenin rilindje paraqitet pa u thelluar shumë këtu në shkaqet të cilat burojnë kryesisht tek ne si shoqëri.
Tek ne, si tek asnjë komb tjetër, nocioni i rilindjes ka pozitën e posaçme në memorien kolektive dhe shpreh me shumë saktësi atë forcë që buron nga ky komb, atë vullnet të pakrahasueshëm shqiptar që shpesh ka ditur të prish plane dhe vizatime hartash. E tillë ishte edhe Rilindja kombëtare që solli tek vetëdijesimi kombëtar shqiptar atëherë kur na konsideronin vetëm si një emër gjeografik brenda një perandorie, e tillë ishte edhe Rilindja demokratike në Kosovë që sfidoi armikun e dyfishtë ideologjinë pan-sllaviste dhe komunizmin apo ajo që rrëzoi enverizmin në të 90-tat e hershme, pa harruar këtu edhe përpjekjet mes këtyre periudhave.
Rilindja si fenomen i ecejakeve historike paraqitet edhe si një motor lëvizës kundrejt stagnimit të kohëpaskohshëm dhe shtypjes. Në të gjitha rastet e kësaj përvoje shqiptare, rezistenca civile, shpirtërore, intelektuale, lëvizjet studentore apo rezistenca e çfarëdo forme të ketë qenë, përfshirë edhe mekanizmat e armatosur, është pjesë integrale e rilindjes si një procesi të përgjithshëm të evoluimit qytetar dhe emancipimit politik. Mënyra e artikulimit të kërkesave ka gjetur modalitetet e saj, padyshim kanalizimi i përpjekjeve ka dalluar dhe kjo jo rrallë ka ditur të jetë objekt i paragjykimeve. Një gjë është e pamohueshme, në të gjitha rilindjet tona, synimi ishte i njëjte, liria për kombin shqiptar, pavarësia e tij dhe demokratizimi i shtetit dhe shoqërisë në mënyrë që më tutje të mundësohen lirshëm proceset tjera.
Por të pyetemi. A ishte qëllim i përpjekjeve shqiptare edhe mundësimi i proceseve që sot i mundësojnë individëve të përvetësojnë këto përpjekje apo edhe të atyre individëve që pretendojnë të kenë filluar historinë nga e para ? Sigurisht që jo dhe kjo na bën të rishikohet shumëçka. Ky komb nuk dha kaq shumë dëshmorë dhe nuk përjetoi kaq shumë vuajtje që sot vuajtjet dhe pakënaqësitë të vazhdojnë. Aq më tepër këto sakrifica nuk janë bërë që sot ti mundësohet dikujt ta diferencoj vetën si elitë e cila bën jetën paralele por krejtësisht të ndryshme me qytetarët. Kësaj elite nuk iu ndalet ryma në shtëpi, nuk iu ndalet furnizimi me ujë dhe ju mjafton që qëllimet e tyre personale ti realizojnë me një telefonatë të shkurtër. Por aspak nuk është kaq me elemente idilike jeta e qytetarit të rëndomtë.
Atëherë kur përfundon çdo probabilitet për suksesin e përrallave që na serviren si dhe kur të veniten edhe shpresat e optimistëve më të mëdhenj për përmbushjen e premtimeve që politikanët tranzitor me aq shumë zemërgjerësi i japin gjatë fushatave zgjedhore apo synimeve të tyre karrieriste njëdrejtimëshe ku ata si pasojë e egocentrizmit të tyre e konsiderojnë vetën të pazëvendësueshëm, pjekën kushtet që ngadalë por vendosmërisht të paraqitet një spontanitet kolektiv i cili fillon të jap sinjalet e shpresës. Mund të quhet llojllojshëm madje edhe të deformohet nga emrat e etiketuar, pakënaqësi, rebelim i pamatur i një rinie, projeksion armik e deri te mundësitë e pafundme që lejon terminologjia politike dhe përtej saj. Gjithsesi mbetet një fenomen pozitiv i nxitur nga koha dhe i cili patjetër sjell ndryshime deri tek ato rrënjësore.
Sot në rrethanat në çfarë jemi, me një pluralizëm pavarësisht çfarë është, një rilindje si fenomen shqiptar mund të arrihet edhe me ndryshime thelbësore në partitë politike si mjet i artikulimit të kërkesave të qytetarëve dhe përfaqësimit të tyre, bëhet fjalë për ato subjekte politike vërtetë të vlerave demokratike në të cilat duke i lejuar energjive të reja të japin kontributin e tyre pamundësohet rreziku nga shkurtëpamësia e vizionit. Gjithsesi në këtë valle vështirë do të jetë të hyjnë ato subjekte ku ngulfaten iniciativat e reja, të tillët karshi ngritjes së vetëdijes qytetare, e kanë trenin e fundit që ju mundëson rilindjen e tyre dhe rrjedhimisht me këtë rilindjen e shoqërisë e që shpesh ndoshta edhe në mënyrë jo adekuate e hasim me termin reformë. Shoqëria jonë ka nevojë për një rilindje të vlerave dhe energjive që realisht do të mundësojnë përjetësimin e trinomit liri-pavarësi-demokraci, kjo arrihet atëherë kur egocentrizmi tërhiqet dhe i lëshon vendin vizioneve të freskuara dhe atdhedashurisë.

Mentor Tahiri

Geto shqiptare

2009 Korrik 19
nga mentortahiri

Nuk bëhet fjalë këtu për Shkupin shqiptar të cilit ia kanë zënë frymën dhe i ngjason getos varshavase para 70 viteve, ndonëse këto lagje të vjetra të strukura në bregun e majtë të Vardarit njëmend i ngjasojnë një getoje të tkurrur. Geto shqiptare për të cilën shkruhet këtu, sot është shumë më e madhe në kontekstin e saj gjeografik dhe në përmasat e ndrydhjes politike dhe ekonomike. Geto shqiptare sot po bëhet atdheu shqiptar, ajo copë e tij ku shtrihen Shqipëria sovrane dhe Kosova gjithashtu sovrane për aq sa është e tillë. Jemi ne shqiptarët, ata të izoluarit në mikrokozmosin tonë të vogël etnik të limituar në vijat e imponuara nga kongreset dhe konferencat e të fortëve të cilët kur hartonin kufijtë as nuk na njihnin si komb.

Fakti që Shqipëria dhe Kosova nuk përfshihen në tabllon e dorës së shtrirë evropiane të liberalizimit të vizave të prezantuar nga BE, mund edhe të mos hedhë gjithë fajin dhe të gjen gjithë arsyen tek neglizhenca tradicionale evropiane që ka përcjell kaq devotshëm historinë tonë. Një gjë megjithatë edhe kësaj radhe i troket kureshtjeve tona. Optimistët e trajtojnë si koincidencë dhe urojmë të jetë kështu, por edhe viti 1912 kishte injoruar në tërësi kombet evropiane më shumicë jo-krishtere duke e ngatërruar edhe më shumë dhe shtyrë me dekada shtetëformimin e tyre.

Nëse në sqarimin e dhënë formal të mospërfshirjes në liberalizimin e vizave përmendën Shqipëria, Kosova dhe Bosnja, kjo absolutisht nuk përkon me realitetin. Ky izolim godet shqiptarët dhe boshnjakët. Përse ? Sepse për serbët e Kosovës nuk është vështirë të kenë të regjistruar një adresë vendbanimi në Serbi dhe të marrin një pasaportë (biometrike) serbe, sikur që nuk paraqet aspak problem edhe për serbët e Bosnjës të cilët nuk pajisen më pasaportat e këtij shteti, aq më tepër pasaporta serbe lëshohen legalisht nëpër gjysmën e shtetit kurse marrëveshja e Dejtonit iu garantoi dyshtetësinë.

Pyetja që do të duhej të dominoi në opinionin shqiptar në ty dy anët e kufirit e që do të kërkonte përgjigjen se ku është geto shqiptare në gjithë këtë, do të mëtonte më hollësisht të prekë përmasat dhe vonesën kronologjike të dy shteteve shqiptare, të mos themi vonesën që i shkaktohet individualisht çdo qytetari që nga studentët deri tek familjarët e rëndomtë në vizitat e tyre. Në planin ekonomik do të rëndojë edhe më shumë bizneset dhe mundësitë e tyre për të bashkëpunuar dhe zhvilluar. Por ajo që është më e rëndësishme hapja e temës mbi Geton shqiptare duhet të mobilizojë ndërgjegje të atyre, vizionet dhe prioritetet e të cilëve edhe një herë u ngatërruan më ëndrrat apo së paku më fjalët që i drejtuan elektoratit të tyre.

Derisa Shqipëria ka trashëguar një problem nga e kaluara dhe gjendja e regjistrit civil është diktuar nga shumë rrethana të çrregullimit të sistemit, në Kosovë pasaportat ka vetëm një vit që janë duke u lëshuar. Është ditur fare mirë që elementet biometrike të pasaportave kosovare si një standard i kërkuar nuk duhet të lihen anash, por ja që u lanë për tu kursyer buxheti dhe arka e varfër, sa të lë aq shumë për të dëshiruar që ai të kursehej në segmente tjera dhe jo këtu.

Në mes të kombinimit të injorimit evropian që i bëhet qytetarëve dhe non-shalancës amatoreske vendore, është banori i rëndomtë i getos shqiptare që do të vuajë pasojat. Natyrisht, bën edhe që ashtu siç është bërë praktikë e komunikimit me qytetarët, të vazhdohet që në ekranet e sponzoruara televizive të prezantohet një gjendje ideale me progresin hovi i të cilit nuk ndalet dot, apo edhe ti hidhet më tutje syve tanë me hi qymyri.

Mentor Tahiri

Paradoksi i integrimeve dhe ksenofobisë

2009 Qershor 27
nga mentortahiri

Në Evropën e integrimeve, një proces masash të tërra me qëllim të përafrimit politik dhe ekonomik të kontinentit sot shfaqet pashmangshëm si një synim në planë të parë i agjendave shtetërore. Sado që mund te kishte në të kaluarën armiqësi si ajo gjermano-frënge apo italo-austriake, ato sot paraqesin jo më shumë se një kapitull të historisë së tejkaluar nga politika e shëndoshë ditore ku bashkëpunimi ekonomik por edhe respekti i ndërsjellë kulturor tregoi rezultatet e tij.

Përderisa vet Evropa rikonsideron kufijtë e saj përtej qasjes shkencore dhe tradicionale mbi shtrirjen gjeografike, Ballkani perëndimor në hartën gjeopolitike përveç që mbetet një vrimë e zezë, lë edhe përshtypjen e çështjeve të papërfunduara nga të cilat gjithmonë mund të gjenerohet një erupsion pakënaqësish i masave e që ndërlidhet me mosndëshkimin e gjenocidit në Bosnje, krimet e bëra me qëllim të spastrimit etnik, fatin e të pagjeturve në Kosovë dhe vende tjera të sulmuara nga Serbia apo edhe me çështje si injorimi i implementimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Integrimet janë motori shtytës i ndryshimeve në Evropë. E gjithë kjo nuk mund të jetë një rast i njejtë në cepin juglindor të kontinentit të vjetër nëse mendohet në përafrim brenda regjionit. Në Ballkanin e trazuar fqinjësia ndërshtetërore dhe ndëretnike fare lehtë di të shprehet në formë fobie dhe në kompleks paragjykimesh sa të lë pa fjalë edhe antropologët. Me gjithë sponzorimin nga miqtë perëndimor, urrejtja nuk lejon shumë vend për integrime ndër-ballkanike përderisa ajo nuk ndëshkohet thellësisht.

Në mjegullinën e shkaktuar nga Naçertania apo ide të këtij lloji që ndryshojnë emrat varësisht nga nevoja për tu kamufluar, gati se tradicionalisht ndeshemi me koncepte politike të zhytura në urrejtje ku kombi shqiptar dhe jo vetëm ai ka fatin e hidhur që të ketë rolin e viktimës.

Sot Serbia është një ndër vendet e ralla në regjionin e gjërë ku plotësisht haptaz dhe legalisht ushtrojnë veprimtarinë e tyre organizata dhe lëvizje neo-naziste. Vet opinioni dhe mendimi qytetar vazhdon të mbetet peng i politikës që nuk gjeti shkëputje as pas largimit të “vozhdit”. Ky opinion akoma nuk shqetësohet dhe për aq më tepër e konsideron normale faktin e dëshmuar të vrasjeve masive dhe akteve gjenocidale të kryera nga institucione të vendit të tyre. Nuk ka si të na çudit atëherë mosgatishmëria e tyre kolektive për të dënuar krimet.

Për fat të keq edhe sinjalet e sotme që sot lëshohen aspak nuk ngecin në promovimin e urrejtjes, këto mesazhe vazhdojnë të mbajnë opinionin qytetar tek fqinjët tanë verior në formën e tij të mpirë nga propaganda, duke e vazhduar gjer në agoni dehjen kolektive të një gjenerate e cila është rritur me qëndrimet antishqiptare dhe ndërdija e të cilës është e stërmbushur me “rrezikun” potencial që kanoset nga shqiptarët.

Nëse është duke ndikuar ky promovim i racizmit kundër shqiptarëve edhe në formulimin e mesazheve politike që lëshohen edhe kundër grupeve tjera etnike, këtë mund ta vërrejmë në vetë ngjyrën e toneve që lider politik të fqinjëve tanë i lëshojnë sado që përpiqen të fshihen prapa imazheve të të moderuarëve demokrat, mesazhet dijnë të përcjellen edhe me vepra. Gjuha e ashpër dhe e pakontrolluar e atyre që përfaqësojnë “demokracinë” sot lë pasojë fatale në formimin e një gjenerate të re ekstremistësh tek të cilët konceptet hegjemoniste tradicionalisht të lansuara në Beograd mishërohen së bashku me albanofobinë, antisemitizmin e deri te propagandimi i hapur i nacional-socializmit. Në Beogradin apo Novi Sadin e sotëm dhuna ndaj romëve apo ndonjë turisti nga Izraeli më nuk paraqet ndonjë lajm.

Në gjithë kontekstin e trajtimit të ksenofobisë institucionale, opinioni serb ngel i verbër para faktit që përgjatë kësaj fushate të pafund ndonëse në një formë tjetër gjendet po ashtu i viktimizuar edhe vet fshatari i zakonshëm diku në Shumadi. Ky ushtar i devotshëm i të keqes që mbushte radhët e ushtrisë apo paramilitarëve që kryen krimet, ngel i ngërthyer në prapambeturinë e cila e stagnon si një pasojë e racizmit që ndjen për të tjerët dhe që jo rrallë buronte nga mendjet e elitës intelektuale të tipit Cubrilovic apo Andric.

Racizmi ndaj shqiptarëve tani ka kaluar në një ksenofobi totale duke e sëmurë vetë Serbinë, por në këtë kontekst duhet pohuar që jo pak nga fqinj tjerë janë të ndikuar nga teoritë serbe mbi “zgjidhjen” e çështjes shqiptare ndonëse kjo ndeshet me heshtje publike. Disa nga vende fqinje të kombit shqiptar tradicionalisht kanë rra peng të kësaj ideologjie që di të reflektojë edhe në veprimet e tyre të politikës të sotme e që konkretisht po del në shesh nga rezistimi që po i bëjnë afirmimit të Kosovës si shtet përkundër deklarimeve formale të lëshuara sa për ti bërë lajka perëndimit. Mosgatishmëria e tyre për ti pranuar vetvetes krijimin e një realitetit të ri flet mbi paradoksin e gatishmërisë deklarative për integrime dhe ksenofobisë nga e cila nuk po arrijnë të çlirohen.

Mentor Tahiri

Politikëbërja shqiptare

2009 Maj 16
nga mentortahiri

Shumë nga ju do të kontestojnë vetë titullin e këtij shkrimi. Nën hijen e një diskutimi të mundshëm nëse njëmend ka një politikëbërje që mund të quhet shqiptare apo jo, pajtohem së paku pjesërisht me këtë. Një politikëbërje shqiptare në kuptimin e të menduarit dhe të vepruarit si shqiptarë, si një komb dhe si një subjekt relevant në skenën ndërkombëtare në shumë fusha, e ka goxha të diskutueshme ekzistimin e saj dhe formën. Një politikëbërje me një emër të tillë do të kishte synim realizimin e kërkesave shqiptare pa humbur kohën duke u ndalur në çdo udhëkryq interesash klanore.

Politikëbërja shqiptare argument dëshmues do të kishte idenë dhe vizionin mbi të ardhmen e kombit shqiptar dhe assesi jo divergjencën e sotme politike në atdheun e copëtuar, shto këtu edhe një varg interesash të llojllojshme që ndikojnë dhe devijojnë veprimet konkrete politike. Shpërndarja e mendimeve dhe vizioneve në një kohë tranzicioni të pafund politik kur vetë subjektet politike e kuptojnë profilin e tyre si një etiketë për të lehtësuar lundrimin e mundimshëm nëpër rrethanat të cilat i servir politika ditore, i bën ato që shpesh të harrojnë vetë konceptet mbi të cilat janë krijuar. Politika shqiptare shpesh gëlltitjen e veprimeve që poshtërojnë shqiptarët e sheh si mjet mbijetese në skenën e diktuar. Në gjithë këtë lëmsh në të cilin kombinohen mungesa e sinqeritetit dhe prania e interesave klanore, sigurisht mbetet pakëz hapësirë për vizione mbi një koncept të gjerë mbi të ardhmen e kombit shqiptar, një koncept të guximshëm që ka forcën të kalojë kufijtë shtetëror të imponuar.

Mjaftojnë disa elemente të na bëjnë seriozisht të mendojmë për rrezikun që i kanoset të ardhmes së përbashkët shqiptare dhe në këtë aspekt një survejim i dallueshmërisë mes veprimeve politike shqiptare ndër shtetet e sotme që administrativisht mbulojnë atdheun tonë, na tregon që së paku në disa aspekte ne po bëhemi gjithnjë më të dallueshëm nga njëri tjetri. Sot ne nevrikosemi dhe ofendohemi kur tiranasin, prishtinasin dhe shkupjanin i dallojnë si shqiptarin, kosovarin dhe maqedonasin por nuk po e vërejmë që disi si tinëzisht kjo terminologji laramane nocionesh po bëhet gjithnjë me e pranishme dhe përpiqet të na bëj të adaptueshëm në mënyrë që në një të nesërme të na duket normale, jemi ne vet që po i kontribuojmë këtij zhvillimi.

Natyrisht, përgjithësimi këtu nuk mund të jetë bardh e zi, ka edhe veprime të caktuara që mund të paraqesin një dritë shprese në tunelin e gjatë të ecejakeve të pa konceptuara kombëtare. Këtu nuk po përmend asnjë emër, as të individit dhe as të ndonjë subjekti politik, do të ishte e pakuptimtë të mbushë hapësirën e këtij shkrimi me emrat e afron njëqind subjekteve politike në hapësirën shqiptare, janë aq shumë sa as në SHBA apo Britani të Madhe nuk ka së bashku as përafërsisht kaq.

Lëmë anash retorikën e fuqishme që karakterizon spektrin polik, këtë retorikë fjalëshumë e cila mëton të zmadhojë dhe spikatë sa më shumë patriotizmin kaq shumë të dëshiruar si identifikues, veprime konkrete megjithatë ka pak. Shpesh edhe kur ka, jo rrallë pas tyre gufon sfondi i interesave të ndryshme klanore apo ekonomike sado që ky sfond përpiqet të kamuflohet i shtyrë thellë në prapavijë në prezantimet spektakulare në mediat tona. Ne si një komb i shkelur i vërejmë këto qëllime kryesisht me shumë vonesë kurse në dëshirën dhe optimizmin e pafund që na karakterizon si komb, lutemi që në krejt këtë kodër interesash të klaneve, së paku bile diku të shohim rezultate.

Në zymtësinë e ofruar nga veprimet politike apo në emër të kësaj, në gjithë atë kompleks interesash, le ti mbetet edhe këtij populli të vuajtur ndonjë thermi në atë masë që si popull te kemi bile një shteg për të mbyllur sytë dhe hapësirë për të arsyetuar mosreagimin tonë kolektiv karshi veprimeve të klaneve. Shqiptarët kanë zbuluar këtë mundësi dhe kjo lejon shmangien e turbulencave konfliktuoze duke i mundësuar popullit të ballafaqohet me hallet e tij dhe jetën e vështirë sikur në gjithë historinë e vuajtjeve shqiptare kurse protagonistëve që përfaqësojnë interesat klanore të merren me hesapet e tyre.

Jemi një rast unik, kurse kohërat në të cilat po jetojmë janë kohëra vendimesh të mëdha. Gjuha e vendosur mbi peshoren që në njërën anë ka të ardhmen e kombit shqiptar kurse në anën tjetër interesat klanore asnjëherë si sot ndikon në shpërqendrimin e politikëbërjes dhe në marrjen e vendimeve përplot huti.

Është një periudhë historike kur shumë çështje do të marrin kahjen duke u bazuar në veprimet e sotme politike. Ne kur nuk ndalemi duke u mburrur me identitetin tonë kombëtar shqiptar dhe kemi shumë arsye për këtë, por nuk është e dëmshme që njëkohësisht të pyetemi nëse vendimet e sotme të politikëbërjes mos rastësisht po krijojnë parametra fryteve të së cilave më vonë nuk do të mund tu shmangemi.

Mentor Tahiri

Albanofonia ndërmjet inferioritetit shqiptar dhe debatit mbi bashkimin kombëtar

2009 Maj 1
nga mentortahiri

Në kohën kur për shumë rrethana, ideja e bashkimit kombëtar së paku për disa vite mund të mos duket një ide lehtë e realizueshme, kombi shqiptar dhe ata që sot përpiqen ta përfaqësojnë, duhet krijuar premisat që do të mundësojnë një zhvillim të përbashkët të gjuhës dhe kulturës tonë. Një aspekt tjetër duhet të jenë edhe angazhimet në drejtim të krijimit të një tregu të përbashkët ekonomik. Në këtë kuptim, pa cenuar kufijtë shtetërorë, është e mundur të gjenden një varg modalitetesh të ndërmjetme.

Një faktorë që nuk duhet nënçmuar sot si “kontribuues” në shkaktimin e stagnimit të shumë proceseve të kombit shqiptar jo vetëm politike, është inferioriteti dhe të konsideruarit i të tjerëve superior. Ky inferioritet dhe kompleks se si do të reagojnë të tjerët karshi një vendimi apo iniciative tonë, tani sikur po na lë mbrapa në maratonën e gjatë historike të zgjidhjes së çështjes shqiptare.

Kur në një shkrim të mëparshëm shkrova për idenë mbi krijimin e Albanofonisë si një mekanizëm të llojit të Frankofonisë e që sa për fillim do të kishte rol primar mbrojtjen dhe përkujdesjen institucionale mbi gjuhën dhe kulturën tonë kombëtare, ndër të tjera u quajt edhe idealizëm nostalgjik. Nostalgjia në fakt sikur të ekzistonte këtu, do të bënte me diçka që do të duhej ta kishim më parë, kurse ne Albanofoninë jo që nuk e kemi pasur ndonjë herë, por edhe si institucione tradicionalisht jemi tmerruar nga frika se çfarë do të thonë të huajt për iniciativa të tilla qysh në momentin kur ato janë veçse një propozim.

Në fakt, Albanofonia është një propozim ndaj të cilit faktori ndërkombëtar nuk do të kishte asgjë kundër. Nuk bie ndesh as me obligimet që Republika e Kosovës i ka marr me planin Ahtisaari ngase këtu nuk flitet për ndryshim kufijsh apo fuzionim politik të shteteve. Kurse sa i përket Republikës së Maqedonisë, shumica etnike nuk ka si te rezistojë këtë mekanizëm, për vetë faktin se ky shtet është anëtar i organizatës ndërkombëtare të Frankofonisë dhe do të barte një sërë skandalesh po ti kundërshtonte popullatës shqiptare këtë mekanizëm plotësisht legjitim kur një mekanizëm të tillë i ka mundësuar disa qindra qytetarëve të saj që frëngjishten e kanë gjuhë të dytë apo të tretë. Pra, ky mekanizëm institucional ndërshtetëror mbetet peng i inferioritetit shqiptar.

Duke qenë se kjo ide mbi të gjitha mëton njësimin kulturor, ajo do të përkrahej dhe do të dallohej si një mekanizëm i forcimit të bashkëpunimit të së paku tri shteteve në Ballkan ku gjuha shqipe është gjuhë zyrtare apo së paku ka disa atribute të tilla në nivel qendror dhe ku rrjedhimisht me këtë përtej kufijve shtetërorë, e pandërprerë shtrihet një kulturë unike e një kombi. Gjithashtu është plotësisht legjitime që në këtë mekanizëm të përfshihen të gjitha shtetet ku jeton numër i konsiderueshëm shqiptarësh në hapësirën tonë etnike dhe diasporë apo përfaqësues të tyre.

Debati mbi bashkimin kombëtar padyshim që do të zgjatë për aq vite derisa bashkimi kombëtar njëmend të realizohet në një të ardhme që nuk i ikën kohës pafund. Deri atëherë ai do të trazojë opinionin shqiptar dhe do të ndikojë shumë vendime të natyrës politike, ekonomike e deri te sportive. Nëse kufijtë mes nesh janë krijuar artificialisht, ne si komb nuk mund të pretendojmë identitete artificiale dhe ti ngatërrojmë ato me të qenit qytetar i njërit apo shtetit tjetër të kësaj hapësire.

Pyetja më e saktë që duhet bërë në debatin e pandalshëm mbi bashkimin kombëtar nuk duhet të ketë qëllimin e të zbuluarit të përgjigjes nëse shqiptarët duhet të bashkohen. Shqiptarët duan të bashkohen por janë të vetëdijshëm për raportet aktuale politike ku ne nuk jemi në pozitë ideale. Tani duhet koncentruar në gjetjen e modaliteteve që ne si komb të integrohemi në mënyrë të tillë që ti bëjmë kufijtë të pakuptimtë, çfarë edhe janë.

Deri në një kohë kur bashkimi kombëtar të realizohet, qeveritë apo ministri të resorëve përkatëse duhet të krijojnë mundësitë praktike që ne si shqiptarë të udhëtojmë brenda atdheut tonë pa pasaportë dhe pa pasur nevojë të deklarojmë mallrat në doganë. Në këtë mënyrë ti jepet atdheut shqiptar një kuptim funksional në praktikë.

Në përgjithësi gjuha është mjeti më vendimtar në krijimin e një kombi apo rruajtjen e tij si të tillë, veçanërisht gjuha shqipe ka rolin e saj pozitiv në proceset e rënda që ka kaluar kombi shqiptar në të kaluarën kur për shumë përpjekje hegjemoniste ne ishim vetëm një objekt i asimilimit apo zhdukjes. Le të kujdesemi që ajo të ketë mekanizmin e saj institucional ndërshtetëror.

Kombi shqiptar, nën hijen e debatit mbi bashkimin kombëtar është e nevojshme të hap shtigjet e të ardhmes së përbashkët që të mbijetojë trendët e shkombëtarizimit të cilat kanosen. Të mbijetojmë si një komb i vetëm, komb shqiptar, ose të përjetojmë fatin e jo pak popujve në botë të cilët në udhëkryqe të caktuara historike nën ndikimin e rrethanave ditore politike, rifilluan historinë nga fillimi dhe copëtuan identitetin e tyre të përbashkët.

Mentor Tahiri

Albanofonia

2009 Maj 1
nga mentortahiri

Sipas vlerësimeve të cilat mbështeten në statistikat zyrtareve të shteteve, vetëm në hapësirat e tij etnike, kombi shqiptar i afrohet numrit 7 milion. Nuk ka të dhëna shumë të qarta mbi shqiptarët që gjatë historie luftërash, përfshirë edhe historinë moderne për arsye të presionit kryesisht politik por edhe ekonomik u shpërndanë nëpër botë në kërkim të një jete më të rehatshme. Shumë njohës do të pajtoheshin që së bashku me mërgatën e shumtë, numri i pjesëtarëve të kombit shqiptar do të ishte diku 12-15 milion.

Si rrjedhojë e fatit dhe të kaluarës shpesh tragjike, gjysma e shqiptarëve jetojnë jashtë trojeve etnike, gjë që na bën të jemi një rast i veçantë, shto këtu edhe padrejtësinë historike të copëtimit të shumëfishtë të vet atdheut shqiptar. Kur flasim për kombin shqiptar rrjedhimisht nënkuptojmë edhe folësit e gjuhës shqipe, ata të cilët gjuhën shqipe e kanë gjuhë të parë apo edhe ata që flasin ndonjë gjuhë tjetër të parë. Duhet pranuar që ka shume të tjerë të cilët më fare nuk e flasin gjuhën e tyre dhe kujtimi i tyre mbi prejardhjen shqiptare paraqet një relikt shpirtëror që mbetet gjallë falë kujtimeve të brezave.

Gjuha shqipe me statusin e saj si gjuhë zyrtare e dy shteteve (Shqipëri, Kosovë) si dhe me pozitën e saj gjysmë zyrtare në një shtet tjetër (Maqedoni) paraqet njërën nga ato gjuhë evropiane të cilat nuk janë dhe nuk mund të konsiderohen të një shteti të vetëm, rast i njëjtë ndonëse në rrethana tjera është më frëngjishten dhe veçmas me gjermanishten si shembuj më të njohur. Gjuha është pjesë e identitetit dhe e pasurisë së kombit shqiptar, element i fuqishëm i mbijetesës dhe vetvetiu reagim ndaj përpjekjeve që pushtues të ndryshëm kanë bërë për të shuar ndërgjegjen tonë kombëtare dhe për të na asimiluar.

Të shpërndarë nga të tjerët nëpër shtete si rrallë ndonjë komb tjetër në botë, shqiptarët rrezikojnë që me të kaluarën e kohës pavetëdije të krijojnë dallimet mes tyre. Shembuj konkret që duhet të na shërbejnë si një referencë alarmuese janë arbëreshët apo arvanitasit me dialektet e tyre të largëta nga gjuha e sotme shqipe aq sa edhe vetë hapësira kohore që i zhvendosi ata larg atdheut. Shumë nga ne për shkak të krenarisë tradicionale që na karakterizon assesi nuk do ta pranojmë që ne po bëhemi të ndryshëm, por mjafton një të dëgjuar i gjuhës së përdorur në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup dhe do të ndeshemi më diversitetin brenda-shqiptar gjuhësor i cili është i rrezikshëm për vetë natyrën e tij ngase si një proces tepër të ngadaltë ne nuk po e vërejmë sa të na duket ndonjë kërcënim serioz. Tani nuk bëhet fjalë këtu për dialektet tona, ato janë një dimension tjetër dhe pse jo një pasuri që çdo komb e ka. Diversiteti i përmendur këtu ka të bëjë me rrugë të ndryshme të avancimit të gjuhës standarde shqipe por nuk ndalet vetëm këtu. Përmasat e sistemeve të ndryshme politike në të cilët u gjenden shqiptarët dhe vendosja e kufijve brenda atdheut shqiptar, sigurisht që lanë gjurmë në shumë segmente të jetës dhe kjo nuk i përket vetëm të kaluarës.

Kombi shqiptar ka nevojë për një mekanizëm institucional ndërshtetëror i cili do të përkujdeset për gjuhën dhe kulturën e tij. Përderisa një Frankofoni kujdeset për promovimin e kulturës dhe gjuhës frënge ndër popuj të ndryshëm që shumë prej tyre as që kanë qenë ndonjëherë koloni të Francës, shqiptarët sot jo që nuk kanë mekanizëm të promovojnë kulturën shqiptare dhe gjuhën, por as edhe një mekanizëm të vetëm që ta mbrojë atë brenda pjesëtarëve të kombit të tyre. Aq më tepër mërgata shqiptare e shpërndarë nëpër botë i është lënë mëshirës së fatit, ata po rezistojnë asimilimin falë përpjekjeve të tyre individuale.

Me krijimin e Albanofonisë, ky mekanizëm do të drejtonte segmente të caktuara dhe gjithëpërfshirëse të jetës kulturore të shqiptarëve dhe përtej saj. Gjuha shqipe dhe aspektet kulturore të jetës përfundimisht do të merrnin një drejtim të njëjtë të zhvillimit për dallim nga situata e sotme ku nuk mund të mburremi edhe aq shumë për shkëmbimin kulturor ndërshqiptar. Si një hap i parë i këtij mekanizmi institucional do të ishte standardizimi i plan programeve mësimore me një theks të veçantë në literaturën që ka të bëjë me gjuhën shqipe si dhe historinë. Albanofonia do të inkurajonte më tej edhe bashkëpunimin në fusha tjera.

Nuk ka as edhe një arsye të vetme që shtetet e hapësirës etnike shqiptare të mos pranojnë krijimin e këtij mekanizmi aq më tepër kur vetë këto shtete duke filluar nga një e kaluar jo shumë e largët kanë treguar gatishmërinë e nismave të tillë. Duke u treguar si shtete të hapura ndaj kulturës, Shqipëria (1999) dhe Maqedonia (2001), së bashku me 54 shtete tjera tani më janë anëtare të Organizatës ndërkombëtare frankofone. Nuk ka dhe nuk mund të ketë as në të ardhmen një argument pse atëherë këto dy shtete, shto këtu edhe shtetin e ri të Kosovës të mos jenë shtete themeluese të Albanofonisë, një mekanizmi institucional ndërshtetëror të përbashkët pa përcaktuar këtu apriori qasjen që Albanofonia do të ketë karshi trendëve ekonomike dhe politike të kësaj hapësire.

Albanofonia është një mjet plotësisht legjitim dhe shkon përtej kufijve të shteteve. Për më tepër është obligim i qeverive në Tiranë dhe Prishtinë, si dhe spektrit politik shqiptar në Shkup por edhe atyre që pretendojnë përfaqësimin e shqiptarëve në Mal të zi apo Preshevë, që duke krijuar këtë mekanizëm të vejnë gurrë themelin e parë institucional të afrimit dhe zbehjes së kufijve, për çka retorikisht vazhdon të pretendohet nga të gjithë.

Gjithashtu, shikuar më larg, Albanofonia do të ndal rrezikun nga asimilimi i pjesëtarëve të kombit tonë të në mërgatë. Në Albanofoni do të përfaqësohen edhe shqiptarët e dërguar pa dëshirën e tyre në stepat e Anadollisë, arbëreshët e Kalabrisë, mërgata jonë në perëndim apo ajo përtej Atlantikut dhe shumë breza të harruar shqiptarësh në Kajro e gjetiu.

Pavarësisht trumbetimeve të mundshme nga ata që i frikësohen zhvillimit dhe forcimit të kombit shqiptar, ka shumë shembuj në botë që do të relativizojnë këtë zhurmë. Sot mekanizma të tillë ekzistojnë për gjuhën dhe kulturën holandeze-flamane (Holandë, Belgjikë), atë portugeze (Portugali, Brazil dhe 9 shtete të tjera). Këto mekanizma nuk paraqesin asnjë rrezik për shtetet përreth sikurse do të ishte rasti edhe me Albanofoninë. Është çështje tjetër nëse ajo do të jetë halë në sy të atyre që janë karakterizuar gjithmonë nga fobia e tyre ndaj shqiptarëve dhe që sistematikisht kanë punuar që shqiptarët të mbesin të shtypur. Ne nuk duhet të mërzitemi për këtë, nuk duhet të mbetemi peng i tyre, kemi përpara një të ardhme të kombit tonë të cilët duhet drejtuar me më shumë kujdes. Nëse më parë nuk kemi pasur këtë mundësi dhe mu për këtë faj kemi humbur shumë shqiptar, sot e kemi.

Përse të mos ekzistojë një Albanofoni e cila do të mbrojë gjuhën dhe kulturën shqiptare por edhe më shumë se kaq ? Fundja, nuk ka rëndësi si do ta quajmë, pesha e vërtetë do të qëndroj në rolin e saj.

Mentor Tahiri

Aleatët e kombit shqiptar

2009 Maj 1
nga mentortahiri

Gjatë historisë të bujshme e të trazuar, shqiptarët të pamësuar të notojnë në oqeanin e mistershëm të diplomacisë dhe turbullirave politike, kanë llogaritur në shumë aleat duke menduar që konceptet mbi lirinë janë të njëjta tek të gjithë, shto këtu edhe çmendurinë e regjimit të Enver Hoxhës dhe lajkat pa stil që varësisht nga rrethanat po i bënte qendrave të tij politike në Beograd, Moskë, Pekin.

Po të ktheheshim të bënim një rishikim historie të pangarkuar me ndjenja politike apo ideologjike çfarë për një historian shqiptar deri në një kohë jo shumë të largët ishte gati e paarritshme, jo vështirë mund të dallohet që vetëm në fundshekullin që kaloi, shqiptarët më në fund zgjodhën një aleat të duhur, por jo edhe më herët.

Në fakt, aleati i sinqertë SHBA-të, kishte lëshuar sinjale shumë kohë më parë, por më pas nën verbërinë e komunizmit lindor, do ta harrojmë për një kohë të gjatë. Këtu mendja pashmangshëm na shkon tek Presidenti Wilson. Ai na doli krah, na kishte gjetur të vetmuar më 1918, të fshehur në pluhurin e shekujve të dekadencës dhe gjumit shumëshekullor në të cilin aludoi edhe patrioti Ismail Qemali, me fjalët e tij të vulosura në farkëtimin e historisë “Një popull që fle, vdes”.

Aleatët e rrejshëm: Republika e Venedikut, Tito, Mao Ce Duni dhe Stalini

Derisa shqiptarët nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit, po i mbronin shpinën Evropës duke prolonguar me heroizmin e tyre spartan dhe me flijimin deri në fund të atdheut të tyre, invadimin e planifikuar osman drejt gadishullit Apenin dhe Evropës qendrore, që edhe i mundësoi asaj të zhvillojë humanizmin dhe renesancën, Evropa nuk u tregua e gatshme ti dal në ndihmë shqiptarëve. Venediku, republika e vjetër detare, superfuqi e kohës, tradhtonte interesat shqiptare sa herë i nevojitej politikës së saj. Nuk pat asnjëherë ushtri aleate të huaj që ti dal në ndihmë ushtrisë së Lidhjes së Lezhës. Derisa mendjet e ndritura në shtetet e Evropës po orientonin energjitë drejt ripërtrirjës shkencore dhe artit, gjithë energjitë shqiptare të kohës orientoheshin drejt mbrojtjës së kështjellave të tyre duke e shëndruar Shqipërinë në Termopile të civilizimit evropian.

Plot pesë shekuj më vonë, përtej imagjinatës normale dhe përmasave gjeografike, regjimi diktatorial që kishte tejkaluar edhe vet limitet e komunizmit ashtu siç e kishin menduar Marksi dhe Engelsi, me gjithë “dashurinë” kishte përqafuar Mao Ce Dunin në Pekin. Ishte Kina komuniste aleat shtetëror e ideologjik i një regjimi të vetmuar që pretendonte të ndalonte vetë zotin. Më herët regjimi enverist kishte provuar aleatin protektor Josip Brozin e Jugosllavisë dhe kur u prish me të për shkak se ia hidhëroi  mikun në Kremlin, u lidh drejtpërsëdrejti me “Stalinin e madh”, emër ky me të cilin shfaqej vasaliteti karshi diktatorit, siç na rastis të dëgjojmë në narracionet trumbetuese poetike të dokumentarëve të asaj kohe që rishtazi të nxjerrur nga skutat e mykura të arkivave po publikohen si një relikt qesharak por mbi të gjitha tregues tragjik, sa për disa sekonda të mbushet mendja se Stalini ka qenë patriot shqiptar.

Njëmend, “vlerat” e Mao Ce Dunit dhe Stalinit dhe aleanca e Enverit me ta, prodhuan një periudhë brenda të cilës do të ndërtohen hiq më pak se 750 mijë bunkerë, në një kohë kur shteti në kufijtë e tij të cunguar kishte veçse 2 Milion banorë. Ky ishte rezultati i aleancave të asaj kohe, së bashku me bilancet tjera edhe më tragjike: të internuarit, “kundërshtarët politik” të dënuar me vdekje, objekte fetare të rrënuara, jetë e shkatërruar gjeneratash të tëra.. Deri atëherë paraqiste një kthim pas të të gjithë përpjekjeve të kombit dhe nxitje më shumë për regjimet përreth që të shtypin shqiptarët që kishin mbetur jashtë kufijve, Jugosllavia dhe Greqia edhe e shfrytëzuan këtë.

Aleatët e vërtetë: Austria, Shtetet e bashkuara të Amerikës dhe perëndimi

Mbase, Perandoria Austriake është shteti i parë që u angazhua për ne, lëmë anash interesat që ajo mund të kishte, sidoqoftë është shteti i parë që kuptoi hegjemonizmin e planifikuar pan-sllavist të sponsorizuar nga Rusia. Vetëm propozimi austriak në lidhje me kufijtë e Shqipërisë që u paraqit në tavolinën e Konferencës së Londrës, balancoi dhe zbuti propozimet e shteteve ballkanike, ndryshe Republikën e Shqipërisë sot do ta përbënte Myzeqeja, që atëherë ishte e tëra kënetë. Për fat të keq, e rreshtuar ndryshe nga fuqitë evropiane, Perandoria humbi luftën, u venit roli i saj si ndikues i fuqishëm ndërkombëtarë por jo krejtësisht, jo rastësisht bisedimet ku u nda fati i Kosovws u zhvilluan në Vjenë.

Pasi që kishte përfunduar “Lufta e madhe”, fuqitë ushtarake të kohës dhe shtetet pjesëmarrëse në luftë, po mbanin në Paris një konferencë mbi paqen. Shtetet përreth kishin bërë pazarin mes tyre që atë pjesë të mbetur të Shqipërisë së vitit 1913 ta ndajnë ndërmjet veti e ta zhdukin përgjithmonë nga faqja e dheut. Kjo edhe do të ndodhte, por një burrështetas i formësuar në konceptet linkolniane do ta kundërshtojë fuqishëm zhdukjen e Shtetit Shqiptar. Presidenti Amerikan Woodrow Wilson  mbetet një mik i paharruar i kombit shqiptar dhe nuk ka histori që mund ta fsheh kujtimin për të. Atëherë kur shqiptarët ndoshta as nuk kishin idenë çfarë po ngjante me atdheun e tyre, ai demaskoi planet e fuqive fituese të Luftës së parë botërore, sot Republika e Shqipërisë ekziston.

Pas përfundimit të errësirës komuniste, ishte sekretari i atëhershëm i shtetit, James Baker, që me 1991 do tu jap shqiptarëve kudo që janë sinjalin se SHBA-të janë miq të tyre. Me baticat dhe zbaticat e saj, politika e jashtme shqiptare në mjegullën e paqartë të Shqipërisë post-komuniste pak a shumë do të dijë të çmojë aleatin e saj por jo rrallë edhe të bëj gafet që do të kushtojnë.

Historia moderne e kombit shqiptar largon çdo dilemë mbi aleatin e sinqertë të kombit. Edhe administrata e Presidentit Klinton, edhe ajo e Presidentit Bush, treguan vendosmërisht se në shqiptarët andej dhe këndej kufiri llogarisin një aleat të rëndësishëm. Është e tepërt të flitet për rolin e SHBA-ve për lirinë e Kosovës dhe vendin që ka sot shteti i pavarur. Ishte pikërisht Kosova, ai vend ku u mishëruan të gjitha vlerat origjinale të etërve themelues amerikan dhe botëkuptimet e tyre mbi liritë njerëzore.

Sot, me Presidentin Obama dhe angazhimin e sekretares së shtetit Klinton, Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës kanë të hapura dyert e bashkëpunimit euro-atlantik duke qëndruar të rreshtuar pranë aleatëve natyral.

Parimet të cilat sollën deri te vet ekzistimi i SHBA-ve ishin liria për individin dhe shoqërinë. Sigurisht, para dy shteteve të kombit shqiptar ka akoma shumë për tu punuar, por më nuk mund të lejojmë luksin që institucionalisht dhe si shoqëri, ndonjë arsye periferike të na ndaloj për të punuar në këtë drejtim. Është ky borxhi jetësor që shqiptarët kudo që janë kanë ndaj burrështetasve të kombit tonë që i kontribuuan miqësisë me SHBA-të dhe perëndimin. Dy shtetet e kombit shqiptar, duke llogaritur në rreshtimin e drejtë gjeopolitik, pjesë e të cilit janë dhe do të bëhen gjithnjë e më shumë, tani duhet denjësisht dhe me vullnet të sinqertë edhe të përvetësojnë vlerat amerikane. Karshi sfidave që do të dalin para nesh, në rrafshin politik dhe ekonomik, të përballemi pikërisht duke respektuar këto vlera dhe në këtë mënyrë të rruajmë respektin që aleatët tonë do ta kenë për dy shtetet shqiptare.

Mentor Tahiri

Nacionalizmi liberal shqiptar versus arroganca interne

2009 Prill 30
nga mentortahiri

Nacionalizmi ka shenjat e tij identifikuese. Ai mund të jetë i projektuar apo spontan. Përderisa tek të tjerët lindi edhe si nevojë e përkufizimit teorik dhe gjeografik të kombit dhe shtetit, tek ne ai u imponua si nevojë për liri dhe shërbeu si forcë që shtyu përpara vetëdijen kombëtare. Ajo që në këtë rast i bën shqiptarët më ndryshe është mënyra e sjelljes së këtij nacionalizmi që nga L’Albanese d’Italia e De Radës e këndej.

Është çështje krejtësisht tjetër nëse natyra e butë e nacionalizmit shqiptar është një produkt i maturisë diplomatike apo nëse në të janë mishëruar edhe ato elemente të inferioritetit shqiptar të shkaktuar si një kompleks i krijuar ndër shekujt e sundimit nga të huajt. Sidoqoftë, nacionalizmi shqiptar paraqet atë pjesë të ndritur të nacionalizmave evropiane. Ai gjithmonë ka qëndruar i pastër dhe nuk është kombinuar më urrejtje. Nuk ka asnjë edhe argument më të voglin që atij ti mëveshët mosrespektimi i popujve tjerë. E kaluara dëshmoi që tek shumë popuj të tjerë, sidomos tek ata në afërsinë tonë, nacionalizmi shpesh përdorej si mjet dhune dhe shkonte përtej limiteve kur mund të konsiderohet çdo gjë përveç nacionalizëm, tek ne shqiptarët ai tregon karakterin tonë liberal së paku në raport me të tjerët. Gjë që vazhdojmë të jemi edhe sot. Më e mira do të ishte të ishim të tillë edhe ndërmjet veti.

Nuk ka dyshim qe nacionalizmi si lëvizje politike e shqiptarëve është që nga fillimi ngushtë i ndërlidhur me formimin tonë si komb. Nëse i referohemi asaj periudhe ringjalljeje shpresash që nga ajo që e quajmë Rilindje Kombëtare e deri te Lidhja e Prizrenit, mund të vërehet që shqiptarët aty po krijonin konturat e para të vetëdijes kombëtare. Por, deri atëherë energjitë kryengritëse shqiptare kundrejt Portës së lartë ishin të ngjyrosura me regjionalizma dhe dëshira për pushtet individësh si në rastin e Ali Pashë Tepelenës apo Bushatlinjëve. Këto përpjekje pashallarësh nuk kishin asnjë cilësi të epitetit komb apo kombëtar, pavarësisht romantizmit në të shkruarit e historisë tonë. Madje në rastin e Janinës shfaqej ajo ashpërsia e spastrimit të hesapeve brenda shqiptare. Trajtimi i suljotëve është një dëshmi e mirë por jo edhe pak referenca tjera do ti bashkëngjiten pas si një shenjë identifikuese e arrogancës interne që nuk patë të ndalur gjatë historisë tonë.

Pavarësisht nacionalizmit tonë liberal, ne brenda shoqërisë tonë jemi të kundërt, arroganca si veprim dominant ka vazhduar dhe akoma vazhdon të drejtojë jetën shoqërore dhe jo pak reflekton edhe në politikë bërjen e sotme në hapësirat shqiptare pavarësisht profileve që spektri politik i pretendon. Mos të flasim si e karakterizoi kjo të kaluarën moniste.

Më e tmerrshmja është që shumë nga nacionalistët u vranë nga vetë bashkëkombësit e tyre si pasojë e arrogancës interne e cila jo rrallë herë ka shqyer përpjekjet dhe qëllimet madhore të kombit. Ne sot në folklorin tonë të pasur vazhdojmë të këndojmë këngë apo ti përmendim si pjesë e pandarë e krenarisë shumë bijë të pushkës dhe pendës shqiptare si Haxhi Zekën, Bajram Currin, Hasan Prishtinën, Luigj Gurakuqin, Nazim Gafurrin dhe shumë të tjerë para dhe pas tyre. Ne në këngët tona e kemi shmangur faktin që dorasit ishin produkt i arrogancës interne. Këtë arrogancë interne të cilën ne si komb nuk patëm vendosmërinë ta kapërcejmë, së paku jo deri tani.

Sikur të mundnim nacionalizmit liberal dhe arrogancës interne tua ndërronim vendet e të kishim një nacionalizëm të ashpër në dinamikë dhe një frymë liberale në raportet brenda shqiptare. Do të ishim diku tjetër në tabelën kohore historike, diku shumë më përpara. Mund edhe të duket idealizëm por të tjerët e kanë arritur, përfshirë edhe ata që na shtypën si sundues. Nëse e arrijmë edhe ne, atëherë politika shqiptare do të jetë më funksionale, është një parakusht për ti mundësuar kombit që të ec me kohën baras me të tjerët.

Shumë raste deri tani kanë ikur, ndërsa zgjedhjet presidenciale në Maqedoni janë vetëm edhe një tregues ndër shumë të tjerë që ne vërtetë duhet ndryshuar. Shembuj për të nxitur ndryshime në këtë qasje tonën ka gjetiu në gjithë atdheun shqiptar, në të gjitha njësitë shtetërore. E gjithë kjo na thotë që kemi nevojë për më shumë nacionalizëm por edhe që ai të jetë i shoqëruar me krijimin e raporteve të shëndosha brenda shqiptare jo vetëm politike por në përgjithësi shoqërore dhe lënien anash të rivaliteteve karshi çështjeve që ky komb ende nuk i ka zgjidhur.

Mentor Tahiri

Një fuqi e re rajonale dhe rreshtimi gjeopolitik i shqiptarëve

2009 Prill 30
nga mentortahiri

Të rezistuarit apo nënshtrimi përball kolapsit ekonomik që aktualisht ka kapluar globin, ndoshta më së miri po zbulon fuqinë reale të shteteve. Trendi i zhvillimit në Turqi që ndonëse i goditur gjithashtu, megjithatë po tregohet i qëndrueshëm, në kushte kur jo vetëm vendet përreth po përjetojnë debakël financiar, e që në rastin e Greqisë sollën shtetin në kaos të pazgjidhshëm, na flet për një fuqi rajonale e cila akoma nuk ka filluar të ecën me hapa të zhurmshëm, por po bëhet gjithnjë më e dukshme që për këtë janë vetëm disa vite në pyetje. Të sqarojmë që në fillim, këtu nuk bëhet fjalë për një ringjallje të Perandorisë Osmane. Babai i kombit turk, Mustafa Kemal, prindërit e të cilit vinin nga një fshat i Dibrës, me kohë ka sqaruar këtë çështje dhe sekularizmi i shoqërisë turke mënjanon ëndrra të tilla. Bazuar mbi koncepte nacionaliste të ngulitura gjatë themelimit të Republikës, politika shtetërore e Ankarasë vështirë që do të devijojë nga kjo rrugë, pavarësisht partinë në pushtet.

Kosova dhe Turqia, në planë të parë të pakrahasueshme ndërmjet tyre, për shkak të demografisë dhe territorit, megjithatë kanë të përbashkët disa elemente kyçe që karakterizojnë përpjekjet politike në Prishtinë dhe Ankara. Në fakt me gjithë dëshirën për bashkim me Brukselin, për të dy vendet mbesin të pakapërcyeshme barriera ndonëse të natyrave të ndryshme. Kosova vazhdon të mos pranohet si shtet, nga hiq më pak se pesë shtete të BE-së, duke zbehur kështu mundësinë për integrime. Turqia në anën tjetër ndonëse gati në njëzet vite përpjekjesh për tu anëtarësuar në BE akoma mbetet shumë larg pranimit.

Fillimisht shtetet e BE-së kishin vërejtjen e tyre në lidhje me nivelin e lirive por edhe në rrafshin ekonomik. Kështu thuhej së paku zyrtarisht. Në të vërtetë, hyrja e Turqisë në BE do të ndryshonte krejtësisht raportet vendimmarrëse duke pas parasysh rritjen demografike që vendi po përjeton por edhe shumë arsye tjera, aq më tepër që Ankaraja si aleat amerikan sikur edhe tani më shumë do të koordinohej me Uashingtonin se me Brukselin.

Sidoqoftë, së paku Turqia për momentin do të gjej dobi nga kjo situatë. Ajo është plotësisht e lirë që të zhvilloj politikën e saj të jashtme pa pasur nevojë që në këtë të përfshijë Brukselin. Këtu vjen në shprehje edhe trashëgimia historike që politikën e sotme turke e ngjyros me nostalgjinë e të kaluarës kur ka të bëjë me Evropën juglindore, apo edhe lidhjet kulturore e gjeografike në Kaukaz dhe më tej. Është pikërisht një epiqendër rajonesh përreth ku SHBA-të kanë praninë e tyre dhe do ta kenë akoma më shumë. Në këtë kontekst, politika e jashtme e përbashkët evropiane, duke pas si kusht gjithmonë baraspeshimin e interesave të shteteve të ndryshme brenda unionit, jo rrallë ka çaluar karshi konflikteve në dhe përreth Evropës, të kujtojmë problemet me Rusinë dhe krejt atë vartësi nga të furnizuarit me gaz.

Fakti që presidenti Obama do të vizitoj Turqinë në fillim të prillit, paraqet një sinjal më shumë që tani ky vend përbën më tepër se një partner strategjik të SHBA-ve siç është konsideruar deri më tani. Greqia nuk përmendët fare në agjendën e kësaj vizite dhe Obama do të jetë presidenti i parë amerikan që viziton Turqinë pa vizituar së pari Athinën.

Gjithsesi elementi më i rëndësishëm që sot i bën dy shtetet shqiptare dhe Turqinë të grupohen brenda një “ekipi” në lojën e madhe gjeopolitike, qëndron në faktin se Tirana, Prishtina dhe Ankaraja janë aleatët më të sinqertë që kanë sot SHBA-të duke e vendosur këtë pjesë të Mesdheut lindor në një zonë me interes të veçantë për politikën amerikane.

Si një zonë të cilës SHBA-të i kushtojnë rëndësi, rajoni përjetoi dhe do të përjetojë akoma më shumë ndikimin e frymës së lirisë dhe shtetet nuk mund ti shmangen implementimit të këtyre vlerave. Politika e jashtme amerikane ndikoi edhe sferat e jetës të vendeve të rajonit të kurthuar nga problemet e pazgjidhura ndëretnike. Të mos harrohet, ishin shqiptarët ata që me votat e tyre e bënë Malin e zi, shtet të pavarur. Në fakt, shqiptarët bënë shumë më tepër. Ata me këtë e dëbuan Serbinë larg nga Adriatiku duke e izoluar më tej në lëmshin që e krijoj vetvetiu me politikën e saj hegjemoniste.

Ndikime tjera të politikës amerikane u dalluan edhe këto ditë. Më saktësisht një frymë Obamiane po përshkruan rajonin. Në Maqedoni, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, një kandidat maqedonas duke u përgjigjur në pyetjen se a do të ftojë votuesit e tij që në raundin e dytë të mbështetnin një kandidat shqiptar, plotësisht me gjakftohtësi u përgjigj pozitivisht ndërkaq për herë të parë ndonëse larg nga institucionet shtetërorë, lëshohen sinjale për hapjen e debatit mbi të ardhmen bilinguale të vendit. Kurse në Turqi, kurdët shënuan festën e tyre kombëtare, ditën e pranverës, me simbole të tyre kombëtare, midis Stambollit dhe plotësisht lirshëm, policia kësaj radhe nuk përdori shufra gome, në të vërtetë vetëm rregullonte komunikacionin që veturat të mos pengojnë kremtimin.

Jo shumë vite më parë, pak kush përfshirë edhe liberalët më romantikë, do të mund të parashikonte disa ndryshime që ndodhën dhe po ndodhin në rajon. Jo rastësisht po flitet për një rajon të vetëm, në lidhje me këtë gjeopolitika do ta thotë të vetën në vitet që vijnë. Ne si shqiptarë kemi shumë punë për të bërë, çështja jonë nuk është e zgjidhur në të gjitha viset shqiptare në ish-Jugosllavi, kurse historia kundërthënëse duhet të na mësoj që nëse nuk kemi ditur si të veprojmë në ngjarje të caktuara historike, të përdorën ato dështime si një mësim më shumë për të përmirësuar veprimet tona në rreshtimin gjeopolitik pro-amerikan ku tani jemi ndër më të besueshmit, por gjithashtu të na mësoj që si komb të synojmë edhe benifitet.

Mentor Tahiri

Atdheu shqiptar

2009 Prill 30
nga mentortahiri

Atdheu shqiptar, një Shqipëri Etnike për të precizuar më mirë. Shqipëria e idealeve shqiptare siç thoshte njëherë titulli i një harte të publikuar në tetëdhjetë vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Disa nga komentuesit do të thoshin përfundimisht ide e groposur nën pluhurin e ashpër të historisë me katrahurat që na përplasën, më saktësisht disa që nuk do të donin ti hyjnë në hatër politikës që përcjell kornizat e imponuara. Do të shtonin akoma po të njëjtit, se kjo është vetëm një ëndërr dhe se tani Evropa e bota kanë ndryshuar. Sipas tyre kjo Shqipëri është vetëm mit në koka të pa azhurnuara, një Shqipëri e dal nga moda dhe për të theksuar akoma më shumë gjurmët e vulës së tyre që nuk po shtypet dot sa duhet, u shpik edhe termi Shqipëri e Madhe qe me apo pa dashje ta vendosin në një kategori me një Serbi të madhe, Megali Ide Helene apo projekt të ngjashëm e ti japin një karakter të panatyrshëm dhe apriori pa arsyetushmëri .

Shqiptarët sot kanë shumë halle, popull shumë i varfër por jo edhe ajo shtresë politikanësh që pretendon të jete elitë e tyre. Megjithatë, sot kur de fakto dhe më në fund de jure ekzistojnë dy shtete nëse ndalohet të thuhet shqiptare, askush nuk mund ta ndaloj të thuhet me shumicë shqiptare ngase është fakt statistikor, një pyetje që nuk i ikën dot imperativit të kohës është e ardhmja e kësaj hapësire.

Të flasim pa censurë e pa frikë.

Më saktësisht e më gjerësisht kombi shqiptar në rrethana më të relaksuara e jo si këto, do të duhet të përgjigjet në disa pyetje por të mendoj thellë për përgjigjet: A duhet të jenë një apo dy shtete ? Apo një lloj lidhjeje federale e përbërë nga dy shtete ? Si me shqiptarët jashtë këtyre dy shteteve ?

Nëse politika zyrtare në një periudhë më të afërt kohore nuk do të ketë guximin që të ballafaqohet me pyetjet më lartë për shkak të “kornizave”, kësaj përballje nuk mund ti shmanget por edhe do ti jap përgjigjen e duhur një lëvizje e lirë qytetarësh, një treg i përbashkët ku flitet e njëjta gjuhë dhe një botë unike kulturore. Janë qytetarët ata, punëtorët e thjeshtë, vizituesit e plazheve të Adriatikut e të Jonit apo në fakt kushdo që flet shqip, për të tillët një ditë hapësira në dy shtetet nuk do të mund të dallohet mes njëra tjetrës.

Gjuha ka qenë elementi kryesor që ka krijuar një komb edhe kur nuk ka qenë vetëm një etni. Në këtë rast gjuha do të ketë ndikimin e saj, aq më tepër qe jemi të një etnie, shqiptar, si ata andej kufiri, matanë kufiri, këndej kufiri. Shqiptar përtej Bjeshkëve të Nemuna, shqiptar përtej anës tjetër të Karadakut, shqiptar në anën tjetër të liqenit. Ndoshta atdheu më i copëtuar që një komb sot e ka. Pra atdheu, ngase për një shqiptar Tirana nuk do të jetë kur e huaj, sikur nuk mund të jetë as Shkupi dhe Prishtina.

Rrethanat politike do të ndryshojnë bashkë me prioritetet shtetërore, gjithashtu do të harrohen dhe zbehen kushtet e marrëveshjeve që u dashtë të behën, do ti përpijë koha. Mbase një ditë kjo temë do të jetë pjesë e një debati gjithëpërfshirës nacional. Për 45 vite gjermanëve iu ndalua tema e bashkimit por ishim dëshmitar që murri i Berlinit rra, bashkë me të varrosi me vete edhe idenë mbi ngadhënjimin e komunizmit. Këtij komunizmi të cilit ne si shqiptarë kudo që të jetojmë, nuk ia pamë dobinë e as që kemi mundur ngase popullit shqiptar ju servir bile edhe versioni i tij si instrument pansllavist.

Për ironi në gjithë atë padrejtësi që na u bë si shqiptar, vet shteti shqiptar i kufijve londinez izoloi bashkëkombësit që nga Ulqini e deri në Prespë për shkak se vendi që po i administronte pa dëshirën e tyre dhe në cilësinë e shtypësit nuk predikonte fenë e Stalinit e Mao Ce Dunit dhe nuk ishte sa duhej komunist.

Sidoqoftë, sot shteti shqiptar londinez është i lirë, shumëpartiak, së shpejti anëtar i NATO-s dhe e kaluara është veçse një pjesë e historisë, ndonëse jo pa pasoja. Pasoja që sot mbeten nga hilet e klanit rreth Enver Hoxhës që qeverisi ish RPSSH-në, pasoja të cilat si duket as nuk i kemi marrë shumë seriozisht por po vazhdojmë ti kuptojmë akoma më qartë gjithnjë e më shumë. Jemi dëshmitar të një debati që po nxjerr në shesh statusin e dialekteve gege që u përjashtuan nga gjuha standarde duke e bërë sot një gegë qoftë shkodran apo prishtinas të mos ndjehet komod në gjuhën e tij. Pasojë është edhe fakti mbi pamundësinë konstante që ky shtet për shkak të izolimit të tij gjysmës shekullor dhe një imazhi që i duhet kohë për tu këndellur të përpiqet më shumë për zbardhjen e gjenocidit mbi çamët dhe ta thotë me plot gojë se ky ishte një gjenocid, nuk ka emër tjetër për një çrrënjosje të plotë të popullsisë.

Ajo që është me rëndësi, monizmi si gjenerator i shtypjes dhe censurës ka perënduar përfundimisht në të dy shtetet, ndonëse copëza të këtij mentaliteti vazhdojnë te mbijetojnë por duke qenë gjithnjë e më pak instrument. Fjala e lirë dhe opinioni për atdheun shqiptar nuk mund të shtypen tutje. Nuk do të mund të shtypet as vet debati për të ardhmen e hapësirës etnike shqiptare as në rrafshin politik e as atë ekonomik.

Më herët në vitet e 90-ta një parti me seli në Tetovë kishte hedhur projekt idenë “Almakos”, duke u shërbyer me kreativitetin e Beneluksit. Tani me zë të ulët u aktualizua një “Mini Shengen”dhe u tha nga dy presidentët, u komentua ndryshëm pozitivisht e negativisht, me rëndësi është që së paku u hodh nga udhëheqësit institucional. Por tani këta dy duhet edhe të kenë vendosmërinë që të veprojnë dhe të dëshmojnë seriozitetin e deklaratës thënë publikut.

Ndërkohë kanë mbetur shumë punë pa kryer, mjafton ti kujtojmë heronjtë e gjallë në veri të Ibrit, që të edhe pse të lënë vetëm, po rezistojnë me vet prezencën e tyre dhe po përpiqen të kundërshtojnë dhe ndryshojnë kahjen e deritanishme të historisë që gjithmonë ka zvogëluar e tkurrur atdheun shqiptar. Kjo tkurrje qe na bën sot me nostalgji dhe dhembjen e humbjes pa kthim të kujtojmë Çamërinë me Filatin e të qajmë për të në këngë, të kujtojmë Toplicën e të vazhdojmë të habitemi me ngjashmërinë e toponimisë atje me mbiemra tanë, apo të përmendim qytetin dikur vatër e kulturës, Manastirin, vetëm kur të afrohet ndonjë përvjetor i Kongresit të Alfabetit.

Vepruan apo jo dy presidentët apo ata që do të vijnë pas tyre, koha do ti kërkoj kombit shtatë milionësh shqiptar që ti përgjigjet pyetjeve mbi të ardhmen e atdheut të tij. Gjithsesi si evropian që jemi të përpiqemi të zgjedhim një model evropian. Nëse nuk kemi guximin dhe dëshirën madje edhe mund të pretendojmë se jemi dy kombe duke fshirë të kaluarën tonë siç edhe u bë jo rrallë sa herë për këtë kishte nevojë politika ditore, por në këtë rast vërtetë vetëm do të vazhdonim të pretendonim.

Mentor Tahiri