Sipas vlerësimeve të cilat mbështeten në statistikat zyrtareve të shteteve, vetëm në hapësirat e tij etnike, kombi shqiptar i afrohet numrit 7 milion. Nuk ka të dhëna shumë të qarta mbi shqiptarët që gjatë historie luftërash, përfshirë edhe historinë moderne për arsye të presionit kryesisht politik por edhe ekonomik u shpërndanë nëpër botë në kërkim të një jete më të rehatshme. Shumë njohës do të pajtoheshin që së bashku me mërgatën e shumtë, numri i pjesëtarëve të kombit shqiptar do të ishte diku 12-15 milion.
Si rrjedhojë e fatit dhe të kaluarës shpesh tragjike, gjysma e shqiptarëve jetojnë jashtë trojeve etnike, gjë që na bën të jemi një rast i veçantë, shto këtu edhe padrejtësinë historike të copëtimit të shumëfishtë të vet atdheut shqiptar. Kur flasim për kombin shqiptar rrjedhimisht nënkuptojmë edhe folësit e gjuhës shqipe, ata të cilët gjuhën shqipe e kanë gjuhë të parë apo edhe ata që flasin ndonjë gjuhë tjetër të parë. Duhet pranuar që ka shume të tjerë të cilët më fare nuk e flasin gjuhën e tyre dhe kujtimi i tyre mbi prejardhjen shqiptare paraqet një relikt shpirtëror që mbetet gjallë falë kujtimeve të brezave.
Gjuha shqipe me statusin e saj si gjuhë zyrtare e dy shteteve (Shqipëri, Kosovë) si dhe me pozitën e saj gjysmë zyrtare në një shtet tjetër (Maqedoni) paraqet njërën nga ato gjuhë evropiane të cilat nuk janë dhe nuk mund të konsiderohen të një shteti të vetëm, rast i njëjtë ndonëse në rrethana tjera është më frëngjishten dhe veçmas me gjermanishten si shembuj më të njohur. Gjuha është pjesë e identitetit dhe e pasurisë së kombit shqiptar, element i fuqishëm i mbijetesës dhe vetvetiu reagim ndaj përpjekjeve që pushtues të ndryshëm kanë bërë për të shuar ndërgjegjen tonë kombëtare dhe për të na asimiluar.
Të shpërndarë nga të tjerët nëpër shtete si rrallë ndonjë komb tjetër në botë, shqiptarët rrezikojnë që me të kaluarën e kohës pavetëdije të krijojnë dallimet mes tyre. Shembuj konkret që duhet të na shërbejnë si një referencë alarmuese janë arbëreshët apo arvanitasit me dialektet e tyre të largëta nga gjuha e sotme shqipe aq sa edhe vetë hapësira kohore që i zhvendosi ata larg atdheut. Shumë nga ne për shkak të krenarisë tradicionale që na karakterizon assesi nuk do ta pranojmë që ne po bëhemi të ndryshëm, por mjafton një të dëgjuar i gjuhës së përdorur në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup dhe do të ndeshemi më diversitetin brenda-shqiptar gjuhësor i cili është i rrezikshëm për vetë natyrën e tij ngase si një proces tepër të ngadaltë ne nuk po e vërejmë sa të na duket ndonjë kërcënim serioz. Tani nuk bëhet fjalë këtu për dialektet tona, ato janë një dimension tjetër dhe pse jo një pasuri që çdo komb e ka. Diversiteti i përmendur këtu ka të bëjë me rrugë të ndryshme të avancimit të gjuhës standarde shqipe por nuk ndalet vetëm këtu. Përmasat e sistemeve të ndryshme politike në të cilët u gjenden shqiptarët dhe vendosja e kufijve brenda atdheut shqiptar, sigurisht që lanë gjurmë në shumë segmente të jetës dhe kjo nuk i përket vetëm të kaluarës.
Kombi shqiptar ka nevojë për një mekanizëm institucional ndërshtetëror i cili do të përkujdeset për gjuhën dhe kulturën e tij. Përderisa një Frankofoni kujdeset për promovimin e kulturës dhe gjuhës frënge ndër popuj të ndryshëm që shumë prej tyre as që kanë qenë ndonjëherë koloni të Francës, shqiptarët sot jo që nuk kanë mekanizëm të promovojnë kulturën shqiptare dhe gjuhën, por as edhe një mekanizëm të vetëm që ta mbrojë atë brenda pjesëtarëve të kombit të tyre. Aq më tepër mërgata shqiptare e shpërndarë nëpër botë i është lënë mëshirës së fatit, ata po rezistojnë asimilimin falë përpjekjeve të tyre individuale.
Me krijimin e Albanofonisë, ky mekanizëm do të drejtonte segmente të caktuara dhe gjithëpërfshirëse të jetës kulturore të shqiptarëve dhe përtej saj. Gjuha shqipe dhe aspektet kulturore të jetës përfundimisht do të merrnin një drejtim të njëjtë të zhvillimit për dallim nga situata e sotme ku nuk mund të mburremi edhe aq shumë për shkëmbimin kulturor ndërshqiptar. Si një hap i parë i këtij mekanizmi institucional do të ishte standardizimi i plan programeve mësimore me një theks të veçantë në literaturën që ka të bëjë me gjuhën shqipe si dhe historinë. Albanofonia do të inkurajonte më tej edhe bashkëpunimin në fusha tjera.
Nuk ka as edhe një arsye të vetme që shtetet e hapësirës etnike shqiptare të mos pranojnë krijimin e këtij mekanizmi aq më tepër kur vetë këto shtete duke filluar nga një e kaluar jo shumë e largët kanë treguar gatishmërinë e nismave të tillë. Duke u treguar si shtete të hapura ndaj kulturës, Shqipëria (1999) dhe Maqedonia (2001), së bashku me 54 shtete tjera tani më janë anëtare të Organizatës ndërkombëtare frankofone. Nuk ka dhe nuk mund të ketë as në të ardhmen një argument pse atëherë këto dy shtete, shto këtu edhe shtetin e ri të Kosovës të mos jenë shtete themeluese të Albanofonisë, një mekanizmi institucional ndërshtetëror të përbashkët pa përcaktuar këtu apriori qasjen që Albanofonia do të ketë karshi trendëve ekonomike dhe politike të kësaj hapësire.
Albanofonia është një mjet plotësisht legjitim dhe shkon përtej kufijve të shteteve. Për më tepër është obligim i qeverive në Tiranë dhe Prishtinë, si dhe spektrit politik shqiptar në Shkup por edhe atyre që pretendojnë përfaqësimin e shqiptarëve në Mal të zi apo Preshevë, që duke krijuar këtë mekanizëm të vejnë gurrë themelin e parë institucional të afrimit dhe zbehjes së kufijve, për çka retorikisht vazhdon të pretendohet nga të gjithë.
Gjithashtu, shikuar më larg, Albanofonia do të ndal rrezikun nga asimilimi i pjesëtarëve të kombit tonë të në mërgatë. Në Albanofoni do të përfaqësohen edhe shqiptarët e dërguar pa dëshirën e tyre në stepat e Anadollisë, arbëreshët e Kalabrisë, mërgata jonë në perëndim apo ajo përtej Atlantikut dhe shumë breza të harruar shqiptarësh në Kajro e gjetiu.
Pavarësisht trumbetimeve të mundshme nga ata që i frikësohen zhvillimit dhe forcimit të kombit shqiptar, ka shumë shembuj në botë që do të relativizojnë këtë zhurmë. Sot mekanizma të tillë ekzistojnë për gjuhën dhe kulturën holandeze-flamane (Holandë, Belgjikë), atë portugeze (Portugali, Brazil dhe 9 shtete të tjera). Këto mekanizma nuk paraqesin asnjë rrezik për shtetet përreth sikurse do të ishte rasti edhe me Albanofoninë. Është çështje tjetër nëse ajo do të jetë halë në sy të atyre që janë karakterizuar gjithmonë nga fobia e tyre ndaj shqiptarëve dhe që sistematikisht kanë punuar që shqiptarët të mbesin të shtypur. Ne nuk duhet të mërzitemi për këtë, nuk duhet të mbetemi peng i tyre, kemi përpara një të ardhme të kombit tonë të cilët duhet drejtuar me më shumë kujdes. Nëse më parë nuk kemi pasur këtë mundësi dhe mu për këtë faj kemi humbur shumë shqiptar, sot e kemi.
Përse të mos ekzistojë një Albanofoni e cila do të mbrojë gjuhën dhe kulturën shqiptare por edhe më shumë se kaq ? Fundja, nuk ka rëndësi si do ta quajmë, pesha e vërtetë do të qëndroj në rolin e saj.
Mentor Tahiri